ATK pezullon nga puna zyrtarin që u arrestua në aksionin kundër korrupsionit

23.12.2025

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se ka vepruar menjëherë pas arrestimit të një zyrtari të saj nga Policia e Republikës së Kosovës, i dyshuar për kryerjen e një vepre penale.

Sipas njoftimit zyrtar të ATK-së, zyrtari i përfshirë është pezulluar nga detyra deri në përfundimin e procedurave nga organet kompetente të drejtësisë.

Administrata Tatimore e Kosovës ka ritheksuar se integriteti institucional dhe respektimi i ligjit janë parime thelbësore të punës së saj. ATK siguron se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe adresimin e çdo forme të keqpërdorimit dhe korrupsionit, me qëllim ruajtjen e transparencës dhe besimit të qytetarëve dhe tatimpaguesve.

“ATK mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet e rendit dhe drejtësisë, në këtë dhe në çdo rast tjetër ku ka dyshime për shkelje të ligjit”, thuhet në njoftim.

Ky veprim i ATK-së vjen menjëherë pas njoftimit të Policisë së Kosovës dhe demonstron përkushtimin e institucionit për të vepruar në përputhje me kornizën ligjore dhe për të siguruar përgjegjshmërinë institucionale.