Aksion në gjithë Kosovën: Mbyllen tri qendra masazhi, IQMT shqipton pesë gjoba

25.06.2026

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës, ka zhvilluar 98 inspektime të përbashkëta në qendra masazhi dhe lokale të muzikës në të gjithë territorin e Kosovës.

Gjatë kontrolleve janë evidentuar parregullsi që lidhen me mungesën e dokumentacionit të nevojshëm dhe mosrespektimin e orarit të punës. Si pasojë e këtyre shkeljeve, inspektorët kanë marrë vendim për mbylljen e tri qendrave të masazhit.

Dy prej këtyre qendrave janë mbyllur në Komunën e Gjakovës, ndërsa një tjetër në Komunën e Rahovecit.

Po ashtu, IQMT ka shqiptuar pesë gjoba ndaj subjekteve ekonomike që nuk kanë arritur të prezantojnë dokumentacionin e kërkuar gjatë procesit të inspektimit.

Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është bërë e ditur se aksionet inspektuese do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të sigurimit të respektimit të ligjeve dhe funksionimit të rregullt të veprimtarive ekonomike në vend.