Arrestohet në Aeroportin e Prishtinës 26-vjeçari i shpallur në kërkim për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot ka arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës një 26-vjeçar, i cili ishte shpallur më herët në kërkim për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
I arrestuari është shtetasi kosovar me inicialet Ç. B., i cili ishte identifikuar pas hetimeve të zhvilluara nga hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, bëhet e ditur në komunikatën e policisë.
Sipas të dhënave, më 18 gusht 2025, i dyshuari kishte hedhur një shishe me lëndë ndezëse në një market në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicën e Jugut, duke rrezikuar sigurinë publike.
Pas arrestimit dhe intervistimit, me vendim të prokurorit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor.
Policia ka theksuar se hetimet lidhur me rastin do të vazhdojnë deri në sqarimin e plotë të rrethanave.