Tentoi t’i shmangej doganës në Aeroportin e Prishtinës, konfiskohen mbi 1.5 kg stoli argjendi
Oficerët doganorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës kanë zbuluar një rast të mosdeklarimit të stoli argjendi nga një pasagjer, i cili kishte tentuar të shmangte detyrimet doganore duke kaluar përmes kanalit të gjelbër, i destinuar për udhëtarët pa mallra për deklarim.
Gjatë kontrollit të detajuar, u gjetën mbi 1.5 kilogramë stoli argjendi me vlerë të konsiderueshme, çka çoi në nisjen e procedurave për kundërvajtje doganore ndaj personit në fjalë.
“Gjatë skanimit të bagazhit, u zbulua një sasi e konsiderueshme stoli argjendi, e cila, pas verifikimit, rezultoi të ishte 1.518,89 gram me një vlerë të faturuar prej 2.457,58 euro. Fatura u prezantua nga vetë pasagjeri vetëm pas zbulimit të rastit, ndërsa shmangia doganore ishte në vlerë prej 732,40 euro”, thuhet në njoftim.
Malli është ndaluar dhe i është nënshtruar procedurave të mëtejshme në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe Akcizës. Mallrat do të mbeten nën mbikëqyrje doganore deri në përfundimin e të gjitha procedurave ligjore, ndërsa ndaj pasagjerit është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore.
Dogana e Kosovës ka apeluar tek qytetarët dhe udhëtarët që të respektojnë detyrimet ligjore lidhur me deklarimin e mallrave gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, duke theksuar përkushtimin për parandalimin e kontrabandës dhe shmangies së detyrimeve doganore.
