Prokuroria Speciale lehtëson procedurat për nisjen e hetimeve
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ndryshuar procedurat administrative për regjistrimin e lëndëve që shërbejnë për inicimin e hetimeve sipas detyrës zyrtare, duke u mundësuar prokurorëve specialë të veprojnë pa pasur nevojë për autorizim paraprak nga kryeprokurori.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka nxjerrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzuesit për veprimtarinë ditore të Zyrës së Regjistrit në këtë institucion.
Sipas vendimit, prokurorët specialë mund të kërkojnë drejtpërdrejt nga Zyra e Regjistrit numrin për regjistrimin e lëndës, me qëllim të nisjes së hetimeve sipas detyrës zyrtare, pa qenë e nevojshme të marrin paraprakisht autorizim nga kryeprokurori.
Ky ndryshim synon të thjeshtojë procedurat administrative dhe të lehtësojë punën e prokurorëve specialë në inicimin e hetimeve për vepra penale që hyjnë në kompetencën e Prokurorisë Speciale, në përputhje me kompetencat e tyre ligjore dhe pavarësinë funksionale.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në hetimin e të gjitha veprave penale që janë në kompetencën e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
