Zyrtare e lartë në Prizren akuzohet për keqpërdorim detyre, favorizoi investitorin me ndryshime të paligjshme projekti

30.04.2025

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër Sh.O-K., e cila ngarkohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, e akuzuara, në cilësinë e Zyrtares së Lartë për Planifikim pranë Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, dyshohet se ka lejuar ndryshime të paligjshme në projektin e një investuesi, për të cilin më parë ishte lëshuar leje ndërtimore. Lajmi është bërë i ditur nga “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza e ngarkon Sh.O.K. se, duke shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin e saj zyrtar, ka tejkaluar kompetencat me qëllim që t’i sjellë përfitime vetes ose personit tjetër, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarit, E.S. Konkretisht, ajo akuzohet se i ka lejuar investuesit M.B-B. SH.P.K., me pronar M.R., ndryshimin e projektit të lejuar për ndërtimin e objektit “Banim Kolektiv, Afarizëm dhe Administratë me Etazhitet 2B+P+5+PH” në Prizren.

Një super ekspertizë e kryer nga U.P. “Hasan Prishtina” – Fakulteti i Arkitekturës, ka konstatuar se e pandehura ka vepruar në kundërshtim me lejen ndërtimore, kushtet e ndërtimit dhe normativën ligjore. Si rezultat i këtyre ndryshimeve të paligjshme, sipërfaqja e ndërtuar është zgjeruar me 15.96%, duke i sjellë investitorit përfitime të vlerësuara në rreth 154.220 euro në total. Rasti tashmë do të kalojë në fazën e gjykimit në Gjykatën Themelore në Prizren.