Zvërnec: Banorët kundër ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur bregdetare
Banorë të Zvërnecit dhe aktivistë mjedisorë kanë protestuar kundër ndërtimit të një resorti në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, duke kundërshtuar ndërhyrjet që, sipas tyre, po dëmtojnë rëndë biodiversitetin dhe ekosistemin e zonës.
Foto: Ilustrim
Protestuesit tentuan të hyjnë në kantierin e ndërtimit, ku pati përplasje me sigurimin privat të angazhuar nga kompania zhvilluese. Aktivistët pretendojnë se në terren po kryhen punime pa transparencë të plotë dhe pa dokumente të qarta mjedisore të publikuara.
Sipas tyre, në zonë janë realizuar rrethime, hapje rrugësh dhe ndërhyrje në habitat natyror, përfshirë dëmtimin e dunave dhe prerjen e bimësisë, duke e cilësuar projektin si të dëmshëm për mjedisin.Nga ana tjetër, kompania zhvilluese deklaron se projekti po realizohet në pronë private të blerë ligjërisht dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke shtuar se të gjitha lejet janë të rregullta dhe investimi është në faza paraprake.
Banorët e zonës theksojnë se çështja e pronësisë është ende në proces gjyqësor dhe kërkojnë ndalimin e punimeve deri në sqarimin përfundimtar të situatës ligjore.Debati për projektin ka ndezur reagime të forta publike, ndërsa organizatat mjedisore paralajmërojnë pasoja afatgjata për një nga zonat më të ndjeshme natyrore në jug të Shqipërisë.
