Reuters: SPAK dyshon se u falsifikuan dokumentet e tokës ku planifikohet resorti i Kushnerit

11.07.2026

Agjencia ndërkombëtare Reuters raporton se biznesmeni shqiptar me bazë në Miami, Artur Shehu, është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë (SPAK), nën dyshimet se ka falsifikuar dokumentet e pronësisë së tokës që u shit për projektin e resortit luksoz të mbështetur nga Jared Kushner në zonën e Zvërnecit.

Reuters: SPAK dyshon se u falsifikuan dokumentet e tokës ku planifikohet resorti i Kushnerit Foto: Ilustrim

Sipas Reuters, dosjet e SPAK-ut pretendojnë se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se pronat janë siguruar përmes dokumenteve të falsifikuara. Prokuroria ka bllokuar rreth 110 milionë euro, të ardhura nga shitja e tokës, duke i ngrirë fondet në një llogari noteriale.

Përveç dyshimeve për falsifikim të dokumenteve të pronësisë, Shehu akuzohet nga autoritetet shqiptare edhe për pastrim parash dhe përfshirje në trafik ndërkombëtar të kokainës. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat përmes avokatit të tij, duke i cilësuar ato të pavërteta.

Reuters thekson se në dokumentet e SPAK-ut nuk ka asnjë pretendim për shkelje ligjore nga Jared Kushner, kompanitë investuese apo zhvilluesit e projektit, ndërsa zëdhënësit e kompanisë kanë deklaruar se besojnë se blerja e tokës është kryer në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me procedurat.

Projekti i resortit në bregdetin e Zvërnecit ka shkaktuar protesta të vazhdueshme nga banorët dhe ambientalistët, të cilët kundërshtojnë ndërtimin në një zonë të mbrojtur me rëndësi të veçantë për biodiversitetin.

Burimi: Reuters.