Zgjerohet vaksinimi kundër HPV në Kosovë, përfshihen të rinjtë deri në 26 vjeç
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se Ministria e Shëndetësisë ka miratuar zgjerimin e grup-moshave për vaksinimin kundër Human Papilloma Virusit (HPV), bazuar në rekomandimet e Komitetit Profesional Këshillues për Imunizim (KPKI).
Foto: Ilustrim
Sipas vendimit të ri, vaksinimi kundër HPV do të ofrohet në mënyrë vullnetare për të rinjtë deri në moshën 26 vjeç që nuk janë vaksinuar më parë.
Ndërkaq, personat e moshës 26 deri në 45 vjeç mund të vaksinohen vetëm me rekomandim të mjekut, pas një vlerësimi individual të rrezikut dhe përfitimit.
Programi i rregullt i vaksinimit për fëmijët 11–12 vjeç do të vazhdojë sipas kalendarit ekzistues.IKShPK thekson se ky vendim është në përputhje me evidencën më të fundit shkencore dhe rekomandimet ndërkombëtare, me synim rritjen e mbrojtjes ndaj infeksioneve HPV dhe parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, si dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me këtë virus.
Vaksina kundër HPV konsiderohet e sigurt dhe shumë efektive, veçanërisht kur merret para ekspozimit ndaj virusit. Zgjerimi i vaksinimit pritet të ndikojë në uljen e rasteve të kancerit, mbrojtjen më të gjerë të popullatës dhe reduktimin e kostove të trajtimit në të ardhmen.
Vaksinimi do të jetë i disponueshëm në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike në vend.
Instituti u bën thirrje qytetarëve që të informohen dhe të konsultohen me profesionistët shëndetësorë për përfitimet e vaksinimit.
