Zgjedhjet në veri, OSBE-ja i bën thirrje KQZ-së të mos vendosë kamera në qendrat e votimit

09.04.2024

Misioni i OSBE-së në Kosovë i ka bërë thirrje KQZ-së që të evitojë përdorimin e kamerave në qendrat e votimit, në zgjedhjet e 21 prillit në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq.

Zgjedhjet në veri, OSBE-ja i bën thirrje KQZ-së të mos vendosë kamera në qendrat e votimit Foto: Ilustrim

Përmes një deklarate zyrtare, OSBE-ja deklaron se votuesit kanë të drejtë të presin që nisma e tyre për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore, të përgjigjet në përkim me legjislacionin përkatës, raporton Indeksonline.

Në komunikatën e OSBE-së gjithashtu u bëhet thirrje votuesce që të vendosin nëse do të votojnë ose jo për tërheqjen e kryetarëve të komunave, “pavarësisht deklaratave të fundit zhgënjyese të partive politike që dekurajojnë votuesit”.

“Pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve në proceset dhe institucionet demokratike është thelbësore për lehtësimin e normalizimit” thuhet mes të tjerash në komunikatë.

Ky është deklarimi i plotë i OSBE-së:

Më shumë se 20 përqind e votuesve të regjistruar në secilën nga katër komunat: Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan, nënshkruan kërkesat për tërheqjen e kryetarëve të komunave si pjesë e një procesi demokratik të iniciuar nga vetë votuesit sipas legjislacionit të Kosovës. Prandaj, votuesit kanë të drejtë të presin që nisma e tyre të përgjigjet në përputhje me legjislacionin përkatës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka mbikëqyrur procesin duke respektuar kuadrin ligjor dhe do të këshillohet të shmangë qasjet novatore, si përdorimi i kamerave në qendrat e votimit, të cilat do të kërkonin shqyrtim më të plotë dhe konsultim të duhur.

Për më tepër, pavarësisht nga deklaratat e fundit zhgënjyese politike partiake që dekurajojnë votuesit nga ushtrimi i të drejtës së tyre demokratike, do t’u mbetet votuesve në secilën komunë që të vendosin nëse do të votojnë ose jo për tërheqjen e kryetarëve të komunave më 21 prill. Pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve në proceset dhe institucionet demokratike është thelbësore për lehtësimin e normalizimit.