Zgjedhjet lokale, sot afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve nga partitë
Sot, në orën 23:59, përfundon afati i aplikimit të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve në garën zgjedhore për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale.
Foto: Ilustrim
Vetëm dy muaj më pas, më 12 tetor 2025, qytetarët e Kosovës do të votojnë për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe anëtarët e kuvendeve komunale.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se periudha e aplikimit, e cila ka filluar më 26 qershor, do të përfundojë sot, më 13 gusht, në orën 23:59.
Sipas tij, është në vullnetin e subjekteve politike të përcaktojnë komunat ku do të garojnë dhe llojin e zgjedhjeve në të cilat do të marrin pjesë.
“Subjektet politike kanë të drejtën e plotë të vendosin në cilat komuna do të marrin pjesë në zgjedhje. Po ashtu, ato përcaktojnë vetë nëse do të garojnë vetëm për kryetar komune, vetëm për kuvend komunal apo për të dyja njëkohësisht në një komunë të caktuar”, tha Elezi.
Deri më tani, KQZ-ja ka certifikuar grupin e parë prej 10 subjektesh politike, në mesin e të cilave janë dy iniciativa qytetare dhe tetë kandidatë të pavarur.
Në total, këto subjekte përfaqësohen nga 64 kandidatë, prej të cilëve 5 kandidojnë për kryetarë komunash dhe 59 për anëtarë të kuvendeve komunale.