Zgjedhjet lokale, KQZ planifikon rreth 2.5 milionë euro për votimin jashtë vendit me postë

22.06.2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka planifikuar të shpenzojë rreth 2.5 milionë euro për operacionin e votimit me postë dhe tërheqjen e dërgesave postare për dy rundet e zgjedhjeve lokale.

Kjo shumë është planifikuar të mbulojë shpenzimet për 100 mijë votues të regjistruar në rundin e parë dhe 70 mijë në raundin e dytë, si dhe shërbimet postare të nevojshme.

Të dhënat janë bërë të ditura nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha për Ekonomia Online se shifra përfundimtare do të dihet vetëm pas përfundimit të procesit të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës.

“Shuma e planifikuar nga KQZ-ja për të mbuluar këtë operacion zgjedhor është në vlerë 2 milionë e 480 mijë euro. Në këtë planifikim është llogaritur organizimi i procesit për 100 mijë votues të regjistruar në rundin e parë, për 70 mijë prej tyre në rundin e dytë, si dhe shërbimet postare për tërheqjen për në Kosovë të dërgesave nga kutitë postare që do të hapen në shtete të ndryshme të botës. Sidoqoftë, ky është vetëm një planifikim dhe do të duhej të presim përfundimin e procesit të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për të pasur një pasqyrë më të qartë”, tha Elezi.

Sipas tij, këto kosto janë rezultat i masave që KQZ ka ndërmarrë për të garantuar integritetin e procesit të votimit jashtë vendit.

Votimi jashtë Kosovës vetëm përmes postës

Elezi sqaroi gjithashtu se, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi jashtë vendit do të realizohet vetëm përmes postës, pasi organizimi i votimit në përfaqësi diplomatike nuk lejohet me ligj.

Të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit mund të votojnë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe Kuvende Komunale, nëse regjistrohen dhe aplikojnë brenda afatit të caktuar.

Regjistrimi për votuesit jashtë Kosovës do të zgjasë 38 ditë, nga 23 korriku deri më 29 gusht 2025.