Votimi me postë, autoritetet hetojnë rastet e publikimit të votës në rrjete sociale

02.06.2026

Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë nisur hetimet ndaj disa personave, kryesisht nga diaspora, të cilët dyshohet se kanë fotografuar dhe incizuar votën e tyre gjatë procesit të votimit me postë dhe më pas e kanë publikuar në rrjete sociale.

Sipas njoftimit zyrtar, institucionet kanë pranuar informacione për këto raste dhe tashmë kanë identifikuar disa persona të përfshirë, ndërsa po vazhdon verifikimi dhe trajtimi i postimeve të tjera të mundshme.

Prokuroria dhe Policia kanë bërë të ditur se çdo rast do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe personat përgjegjës do të përballen me pasojat ligjore për veprimet e tyre.

Njëkohësisht, qytetarëve u është bërë thirrje që gjatë ushtrimit të së drejtës së votës të tregojnë kujdes dhe të mos e bëjnë publike votën e tyre në asnjë formë, duke respektuar parimin e fshehtësisë së votimit.