Kurti: Pas certifikimit të rezultateve nisim menjëherë bisedimet për formimin e institucioneve
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se menjëherë pas certifikimit zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme do të fillojnë komunikimet me partitë politike për formimin e institucioneve të reja.
Foto: Ilustrim
Kurti i bëri këto komente gjatë pjesëmarrjes në edicionin e 8-të të Festivalit Multikulturor dhe Ekspozitës Mobile “KRAH” në Prishtinë, ku u pyet nga gazetarët për hapat e ardhshëm pas përfundimit të procesit zgjedhor.
“Porsa të certifikohen rezultatet, fillojmë komunikimet menjëherë”, deklaroi Kurti.
Procesi i certifikimit të rezultateve pritet të përfundojë pas mbylljes së të gjitha procedurave ankimore dhe vendimeve nga institucionet përkatëse. Pas këtij hapi, pritet të hapet rruga për konsultime politike lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e qeverisë së re.
Sipas rezultateve aktuale të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 ulëse.
