Votimi jashtë Kosovës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, KQZ pranon rreth 700 aplikacione për regjistrim

15.07.2021

Është duke vazhduar afati për aplikim për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti. Kjo periudhë e aplikimit ka filluar më 10 korrik dhe do të përfundojë më 18 gusht. Se janë duke pranuar aplikacione për regjistrim për votim jashtë Kosovës, këtë e ka […]

Votimi jashtë Kosovës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, KQZ pranon rreth 700 aplikacione për regjistrim Foto: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)

Është duke vazhduar afati për aplikim për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Kjo periudhë e aplikimit ka filluar më 10 korrik dhe do të përfundojë më 18 gusht.

Se janë duke pranuar aplikacione për regjistrim për votim jashtë Kosovës, këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

Ai ka theksuar se deri të mërkurën janë pranuar 699 aplikacione për regjistrim.

Po ashtu Elezi ka bërë të ditur se prej 699 aplikacioneve, pas shqyrtimit të tyre nga shërbimi votues janë aprovuar 653 aplikacione.

“Sipas të dhënave të fundit, deri më 14 korrik kemi pranuar 699 aplikacione për regjistrim. Pas shqyrtimit të tyre nga shërbimi votues janë aprovuar 653 aplikacione, ndërsa 46 të tjera nuk janë aprovuar deri më tani për shkak se aplikuesit nuk kanë plotësuar kriteret juridike për t’u përfshirë në listën votuese jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi për IndeksOnline.

Ata që arrijnë të regjistrohen si votues jashtë Kosovës do ta kenë mundësinë të votojnë përmes postës, fazë kjo e cila fillon më 15 shtator, ndërsa fletëvotimet në adresë të KQZ-së duhet të arrijnë deri më 15 tetor.