Vizita e David Baker në Kosovë, SHBA nënvizon bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes

04.08.2025

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka komentuar vizitën zyrtare të Zëvendësndihmëssekretarit të Mbrojtjes, David Baker, dhe Gjeneralit Brigadier Chris McKinney, duke theksuar përkushtimin e SHBA-së për forcimin e partneritetit në fushën e mbrojtjes me Kosovën.

Gjatë qëndrimit në vend, zyrtarët amerikanë janë takuar me Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin në detyrë Albin Kurti, Ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, Komandantin e FSK-së Gjeneral Lejtnant Bashkim Jashari dhe Komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Enrico Barduani.

Vizita përfshiu edhe ndalesën në kampin ushtarak amerikan “Bondsteel”, ku Baker dhe McKinney takuan trupat ushtarake amerikane të stacionuara në Kosovë.

Në njoftimin zyrtar të publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës dhe rrjetet sociale, thuhet se Zëvendësndihmëssekretari Baker rikonfirmoi partneritetin e fuqishëm në fushën e mbrojtjes ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, si dhe shprehu vullnetin për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit në funksion të paqes dhe stabilitetit rajonal.

“Gjatë vizitës, DASD Baker rikonfirmoi partneritetin në mbrojtje ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës dhe mundësitë për thellim të bashkëpunimit në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në rajon. Më të fortë dhe më të sigurt,” thuhet në deklaratën e Ambasadës.