Klubi i Biznesit dhe Ambasada e SHBA-së diskutojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik
Drejtori Menaxhues i Klubit të Biznesit, Ilir Ibrahimi, ka zhvilluar një takim me Anu Prattipati, Chargé d’Affaires të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, për të shqyrtuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Takimi, i cili u zhvillua në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, u fokusua në forcimin e tregtisë, investimeve dhe angazhimin e diasporës.
Sipas një njoftimi të lëshuar nga Klubi i Biznesit, takimi ishte një mundësi për të diskutuar mënyrat se si Kosova dhe Shtetet e Bashkuara mund të punojnë së bashku për të rritur bashkëpunimin ekonomik. “Drejtori Menaxhues i Klubit të Biznesit, Ilir Ibrahimi, pati kënaqësinë të takohej sot me Chargé d’Affaires të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Anu Prattipati, për të shqyrtuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara,” thuhet në njoftim.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë gjithashtu konfirmoi takimin, duke theksuar rëndësinë e forcimit të lidhjeve ekonomike midis dy vendeve. “Sot, Charge d’affaires Anu Prattipati mirëpriti Drejtorin Menaxhues të Business Club, Ilir Ibrahimi, për të diskutuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës. Forcimi i tregtisë, investimeve dhe angazhimit të diasporës mbetet kyç për rritje të qëndrueshme dhe përfitim të përbashkët ekonomik,” u tha në njoftimin e Ambasadës.