Maqedonci pret sot në Prishtinë zyrtarin e lartë amerikan të mbrojtjes
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot do të presë në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David Baker.
Ceremonia zyrtare e pritjes do të zhvillohet në objektin e Ministrisë së Mbrojtjes në Prishtinë, duke filluar nga ora 16:00. Ky takim pritet të shënojë një moment të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit strategjik në fushën e mbrojtjes mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga Ministria e Mbrojtjes është bërë e ditur se përfaqësuesit e mediave janë të ftuar ta përcjellin këtë ngjarje, e cila konsiderohet një hap i ri drejt zgjerimit të partneritetit dhe koordinimit dypalësh në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.
Takimi zhvillohet në një kohë kur Kosova po intensifikon marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, me theks të veçantë te bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara, që mbetet shtylla kryesore e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon.