Presidentja Osmani pret në takim zyrtarin e lartë të Mbrojtjes së SHBA-së, David Baker

02.08.2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim zyrtar zyrtarin amerikan të Mbrojtjes, David Baker, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Vizita e Baker vjen në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Përpara takimit me Presidenten Osmani, Baker ka zhvilluar një takim edhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ku është diskutuar situata e sigurisë dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërkombëtar në vend.

Zyrtari i lartë amerikan ka arritur në Kosovë ditën e djeshme, ku është pritur nga e ngarkuara me punë e misionit diplomatik të SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

Vizitat e zyrtarëve amerikanë në Kosovë konsiderohen një sinjal i qartë i mbështetjes së vazhdueshme të SHBA-së për sovranitetin dhe stabilitetin e Kosovës.