Viti me rritjen më të lartë të çmimeve

30.12.2021

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se në muajin nëntor të këtij viti norma vjetore e inflacionit ka arritur në 6.9 për qind (%), nga 0.1 për qind sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit 2020. Rritja më e lartë është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, […]

Viti me rritjen më të lartë të çmimeve Foto: Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se në muajin nëntor të këtij viti norma vjetore e inflacionit ka arritur në 6.9 për qind (%), nga 0.1 për qind sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Rritja më e lartë është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet. Përveç produkteve për ushqim, në Kosovë është paralajmëruar edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe ujit.

Situatë e ngjashme me çmime është edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë.

Rritja e çmimeve ka ardhur për shkak të pengesave në zinxhirin e furnizimeve që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, si edhe për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.

Një litër vaj vitin e kaluar ka kushtuar 1.13 euro, përderisa tashmë ka arritur në 1.64 euro.

“Çmimet janë më të larta se sa ato zyrtare”

Inflacioni në këtë vit, konsiderohet më i larti në dekadën e fundit, thotë Selatin Kaçaniku, drejtor i organizatës “Konsumatori”.

Ai konsideron se çmimet janë më të larta sesa që paraqiten në të dhënat zyrtare. Sipas tij, rritja reale e çmimeve është rreth 12 për qind.

“Ne, si konsumatorë, e vërejmë në shportë se kemi rritje të çmimeve në sasi, në cilësi, në skadim dhe të tjera. Me këto paga, të gjitha familjet e Kosovës meritojnë një medalje për gjeturinë, për mënyrën se si ia dalin të bashkojnë fillimin me fundin e muajit”, vlerëson Kaçaniku.

Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro. Paga mesatare bruto në sektorin publik është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.

Kurse, paga minimale është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç./REL/