VETËVENDOSJE në Prizren me aksion simbolik: “Shtëpia e Bardhë” shpallet “Zonë e Krimit”
Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE në Prizren kanë zhvilluar sot një aksion simbolik para objektit të Komunës së Prizrenit, të njohur ndryshe si “Shtëpia e Bardhë”, duke e rrethuar atë me shirita të verdhë me mbishkrimin “Zonë e Krimit”.
Foto: Ilustrim
Ky veprim vjen pas ndalimit të një zyrtareje të drejtorisë së urbanizmit nga Prokuroria Themelore në Prizren, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe lëshim të lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjin.
Në njoftimin zyrtar të publikuar në faqen e tyre në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se ky nuk është një rast i izoluar dhe se përgjegjësia për gjendjen aktuale urbanistike në Prizren bie mbi udhëheqjen komunale.
“Koka dhe adresa e vërtetë e krimit ndërtimor ndodhen në Shtëpinë e Bardhë – tandemi Totaj-Elshani,” thuhet në reagimin e VV-së.
Ata akuzojnë udhëheqësit e Komunës për kapje të institucioneve komunale, duke shtuar se funksionet publike po përdoren për përfitime familjare dhe klienteliste.
Lëvizja ka kërkuar hetim të plotë, përgjegjësi institucionale, si dhe dorëheqje të menjëhershme të të përfshirëve.
“Prizreni meriton zhvillim, jo degradim,” përmbyllet deklarata e tyre.
Ky aksion ka nxitur reagime të shumta në opinion, ndërsa mbetet të shihet nëse institucionet përgjegjëse do të ndërmarrin hapa konkretë lidhur me akuzat e ngritura.