Vetëvendosje me propozim të ri për Presidentin, fton opozitën për marrëveshje
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, ku janë diskutuar zhvillimet politike në vend, me fokus të veçantë procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Në një komunikatë zyrtare, kjo parti ka theksuar se për të shmangur një proces të ri zgjedhor, që sipas tyre do t’i shkaktonte dëm vendit, kanë ndërmarrë hapa konkretë për të gjetur një zgjidhje.
Vetëvendosje ka bërë thirrje ndaj PDK-së dhe LDK-së që të propozojnë tre kandidatë të përbashkët për postin e Presidentit, të cilët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë dhe jashtë skenës aktuale politike.
Sipas këtij propozimi, për kandidatët do të siguroheshin të paktën 90 nënshkrime të deputetëve, ndërsa paraprakisht do të tërhiqeshin nga gara Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Vetëvendosje ka bërë të ditur se pret përgjigje nga partitë opozitare deri të dielën në mbrëmje, duke theksuar se zgjidhja është e mundshme dhe kërkon angazhim të përbashkët në interes të stabilitetit institucional të vendit.
