Veteranët planifikojnë protestë: “Nuk garantojmë nëse eskalon situata”

06.08.2022

Po ashtu, veteranët e luftës së UÇK-së kanë paralajmëruar sërish protestë para Kuvendit të Kosovës nëse nuk përfshihen në projektligjin e rritjes së pagës minimale. Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari ka thënë se protesta do të jetë forma e parë përmes së cilës do të kundërshtojnë miratimin në lexim të dytë […]

Veteranët planifikojnë protestë: “Nuk garantojmë nëse eskalon situata” Foto: Ilustrim

Po ashtu, veteranët e luftës së UÇK-së kanë paralajmëruar sërish protestë para Kuvendit të Kosovës nëse nuk përfshihen në projektligjin e rritjes së pagës minimale.

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari ka thënë se protesta do të jetë forma e parë përmes së cilës do të kundërshtojnë miratimin në lexim të dytë të këtij projektligji derisa shton se nuk do të mbajnë përgjegjësi nëse protesta do të dalë jashtë kontrollit.

Ai shton se përgjegjësia bartet të qeveria dhe jo të veteranët të cilët, sipas tij, po i kërkojnë të drejtat e tyre.

Qeveria thotë se paga minimale dhe benefecioni i veteranëve janë çështje të ndara ndërsa insiston në një ligj të ri me lista të pastruara dhe më pas edhe mundësi që kjo kategori të trajtohet, sipas tyre, më dinjitetshëm.

Veteranët kanë protestuar dy herë para qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për të kundërshtuar mospërfshirjen e tyre në projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë pagën minimale.

Jashari për KosovaPress thotë se të njëjtin veprim do ta ndërmarrin në ditën kur në seancën e Kuvendit do të dalë për votim në lexim të dytë ky projektligj.

“Ne do të protestojmë, ne do të kundërshtojmë, do të konsultohemi edhe me organet tona drejtuese, Organizata e Veteranëve dhe shoqatat, në këtë rast Invalidëve dhe Familjeve të Dëshmoreve, dhe forma e parë do të jetë protesta dhe nuk garantojmë nëse eskalon situata sepse është qeveria dhe kryeministri në këtë vend që po e bën një veprim për të ardhur deri këtu dhe mendoj që përgjegjësitë bien mbi atë që shkakton problemet dhe jo ata që kërkojnë të drejtat e tyre”, thotë Jashari.

Sipas tij, nuk do të lejojnë të degradohet sakrifica dhe vlera e veteranëve të UÇK-së dhe shton se kjo kategori vazhdon të jetë e nëpërkëmbur.

“Duhet ta kuptojë edhe kryeministri, edhe qeveria, edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, që nuk ndodh kjo pse nuk po rritet një benificion dhe po insistohet që t’i mohohet e drejta veteranëve të luftës në benificionin e tyre që është baza e saj, është paga minimale në Kosovë, por nuk do të lejojmë të nëpërkëmbët lufta e lavdishme e UÇK-së që është vlerë e secilit dhe me këtë rast dua t’ju bëj thirrje edhe qytetarëve por edhe institucioneve të Republikës së Kosovës që të jenë të kujdesshëm në këtë pikë sepse lufta e UÇK-së gjithë ata që e gëzojnë sot lirinë dhe është vlerë e secilit dhe si e tillë duhet të ruhet”, thotë ai.

Pas protestës së dytë të veteranëve të mbajtur në muajin qershor, përfaqësuesit e organizatave ishin pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti i cili kishte propozuar hartimin e një ligji të ri për veteranët dhe nisjen e procesit të vlerësimit dhe verifikimit të pjesëmarrësve të luftës.

Jashari thotë se asnjë verifikim nuk mund të bëhet pa përfunduar procesi gjyqësor për veteranët, i kthyer në rigjykim nga Apeli.

“Ne nuk i frikësohemi verifikimit, as komandantët e zonave, as përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta edhe pse fuqia jonë nuk ka qenë që t’i nënshkruajmë t’i japim dikujt të drejtën ose të ua mohojmë të drejtën që kanë dhënë kontributin e në luftën e UÇK-së por sa herë te kthehet prap do të jetë i njëjti organ, i njëjti institucion, që do ta bëjë vlerësimin dhe riverifikimin dhe mendoj që nëse dikush i ka nënshkruar dikujt që nuk e meriton ai duhet të përgjigjet para organeve të drejtësisë, ose nëse dikujt ja ka mohu prap duhet të përgjigjet… Asnjë rivlerësim dhe asnjë verifikim nuk mund të bëhet pa përfunduar procesi gjyqësor që është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit”, shton Jashari.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve i bën thirrje kryeministrit të vendit që të trajtojë me kujdes çështjet që lidhen me veteranët meqë, sipas tij, kjo kategori duhet të marrë trajtim të dinjitetshëm.