AAK, PDK dhe NISMA shprehin mbështetje për protestën e thirrur më 7 gusht
AAK, PDK dhe NISMA kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për protestën e paralajmëruar nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila pritet të mbahet më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se kërkesat e organizatave të dala nga lufta janë legjitime dhe të drejta, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave të luftës dhe të kontributit të ish-luftëtarëve.
“Qëndrojmë gjithmonë në të drejtën e luftës, në të drejtën e luftëtarëve dhe në të drejtën e popullit. Këto janë themelet mbi të cilat është ndërtuar liria jonë dhe që nuk lëkunden kurrë,” thuhet në reagimin e tij.
Nga ana tjetër, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka ngritur shqetësime lidhur me zvarritjen e procesit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku disa ish-udhëheqës të UÇK-së ndodhen në paraburgim prej më shumë se katër vjetësh, ende pa një vendim përfundimtar.
“Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në mbështetje të luftës për liri dhe të së drejtës për një proces të drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë për çlirimtarët tanë,” ka shkruar Krasniqi, duke e cilësuar protestën si një shprehje demokratike e bindjeve qytetare.
Krasniqi ka ftuar qytetarët që besojnë në drejtësinë e luftës për liri që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar.
Edhe Nisma Socialdemokrate, përmes kryetarit Fatmir Limaj, ka shprehur mbështetjen për protestën. Në një reagim publik, Limaj është shprehur se partia e tij qëndron përkrah organizatave që përfaqësojnë ata që kanë kontribuar në luftën çlirimtare të UÇK-së.
“Lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, çlirimtare dhe thellësisht e drejtë. Nisma do të jetë gjithmonë në mbështetje të përpjekjeve që synojnë ruajtjen e vlerave të luftës,” ka theksuar ai.
Protesta është paralajmëruar si reagim ndaj zhvillimeve në proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe synon të shprehë shqetësimet për mënyrën e trajtimit të të akuzuarve që vijnë nga radhët e ish-UÇK-së.
Deri më tani, mbështetja është publike nga tri parti politike, por është e mundur që edhe subjekte të tjera të deklarohen në vijim. Organizatorët dhe mbështetësit e protestës kanë theksuar se qëllimi i saj është të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe demokratike, me qëllim adresimin e shqetësimeve për drejtësinë dhe ruajtjen e dinjitetit të luftës çlirimtare.