OVL-UÇK paralajmëron protestë më 7 gusht kundër procesit gjyqësor në Hagë
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka njoftuar se më 7 gusht, duke filluar nga ora 17:00, do të organizojë një protestë me motive kombëtare për të kundërshtuar procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po zhvillohet në Hagë.
Në një konferencë për media, kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, theksoi se protesta do të mbajë tri qëllime kryesore, ndër to edhe pakënaqësinë me mosformimin e institucioneve të reja në vend dhe mënyrën si po zhvillohet procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara. Ai akuzoi këtë institucion për shkelje të të drejtave të të burgosurve dhe për përdorim të personave me influencë për të ndikuar në procesin gjyqësor.
“Sikur të kishim institucione që e çmojnë dhe respektojnë sakrificën, luftën e drejtë dhe të pastër, kjo Gjykatë në formën se si është ngritur do të duhej të ishte jo ekzistente,” ka deklaruar edhe anëtari i OVL-UÇK-së, Xhavit Jashari.
Gucati shtoi se organizata ka kërkuar mbështetje financiare nga ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për mbrojtjen juridike të të akuzuarve, por deri tani nuk kanë marrë përgjigje.
“Nuk e besoj që do të marrim. Siç e dini deri tani janë larguar avokati i Kadri Veselit dhe dy të tjerë të presidentit Thaçi,” tha ai, duke theksuar se qeveria ka vendosur një “çmim tavan” për mbrojtjen, të cilin e cilësoi si turpërues.
Në një letër drejtuar institucioneve, OVL-UÇK ka shprehur shqetësimin për mungesën e mbështetjes financiare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike të të burgosurve në Hagë, duke theksuar se këto procese nuk përfaqësojnë vetëm individët, por edhe historinë e drejtë të luftës çlirimtare të Kosovës.
Ndërkohë, Fondacioni për Mbrojtjen Juridike ka paralajmëruar rrezikun e largimit të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, për shkak të moskryerjes së pagesës së avokatit kryesor që kap vlerën mbi 2 milionë euro. Ministria e Drejtësisë, nga ana tjetër, ka publikuar të dhëna që tregojnë se deri tani janë paguar rreth 33 milionë euro për këto çështje.