Vetaksident me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”: humb jetën drejtuesi i kamionetës, një pasagjer i lënduar
Një vetaksident me pasoja tragjike ka ndodhur sot në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku ka humbur jetën drejtuesi i një kamioneteje, ndërsa pasagjeri është dërguar për trajtim mjekësor.
Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. “Është shkaktuar një vetaksident trafiku ku, si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e një kamionete, ka humbur jetën drejtuesi i saj, mashkull kosovar. Po ashtu, lëndime trupore ka pësuar edhe pasagjeri, i cili është dërguar në trajtim mjekësor”, deklaroi ai.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërsa njësitet relevante të Policisë po merren me këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe hetimet për shkaqet e aksidentit.
Viktima është A.B. nga Klina.
Policia e Kosovës apelon për vigjilencë më të madhe nga të gjithë shoferët gjatë drejtimit të automjeteve dhe për respektim strikt të shenjave dhe rregullave në rrugët e vendit.