Vështirësi në trafik për shkak të borës në rrugët drejt Aeroportit “Adem Jashari”
Qarkullimi në aksin rrugor Prishtinë–Pejë, si dhe në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, është zhvilluar me vështirësi gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, si pasojë e reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta.
Foto: Ilustrim
Sipas pamjeve të siguruara nga RTK, në këtë segment rrugor janë krijuar kolona të gjata automjetesh, ndërsa sipërfaqja e rrugës paraqitet e mbuluar me borë dhe mjaft e rrëshqitshme. Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, shoferët janë detyruar të qarkullojnë me shpejtësi të kufizuar.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes dhe të respektojnë rregullat e trafikut, veçanërisht në drejtim të aeroportit, ku fluksi i automjeteve mbetet i lartë në orët e para të ditës. Po ashtu, Policia e Kosovës ka apeluar që drejtuesit e mjeteve të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë me gjendjen aktuale të rrugëve.

Foto: RTK