Vaksinat COVAX kundër COVID-19, pritet të arrijnë në Kosovë në javën e parë të muajit mars

Muaji shkurt ishte paralajmëruar si periudhë e arritjes së vaksinave të para kundër COVID-19 në Kosovë. Deri tani asnjë asnjë syresh nuk është siguruar.

Megjithatë, Isme Humolli nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, i tha Zërit të Amerikës se dozat e para të vaksinave pritet të arrijnë javën e ardhshme ose në javën e parë të muajit mars.

“Siç jeni në dijeni Kosova një sasi bukur të madhe të vaksinës do ta marrë nga mekanizmi i COVAX-it. Dëshira e të dy palëve, edhe e Kosovës edhe e COVAX-it është që vaksina të vije sa më parë, por jemi dëshmitarë të asaj që ka mungesë të vaksinës për shkak të pamundësisë së prodhimit të sasisë së nevojshme apo aq sa po kërkohet nga shtetet. Pra kapacitetet janë më të ulta”, tha Humolli.

Ndërsa, sipas planit kombëtar për imunizim, në Kosovë së pari do të vaksinohen disa kategori më të rrezikuara, ndërkaq pritet që deri në fund të këtij viti të vaksinohet më shumë se 60 për qind e popullsisë.

“Grupet që kanë përparësi janë fillimisht punëtorët shëndetësorë, por jo të gjithë, punëtorët shëndetësor të cilët drejtpërsëdrejti janë të përfshirë në trajtimin e pacientëve me Covid, pastaj personat të cilët marrin strisho dhe mostra nga rastet e dyshimta me Covid dhe në të njëjtën kohë janë kategorizuar edhe personat 80 vjet me sëmundje kronike, pastaj personat 70 vjet me sëmundje kronike dhe kështu gradualisht do të arrihet të përfshihet popullata”, tha ajo.

RAPORTO