Tragjedi në Istog: Mbytet një fëmijë në një pishinë familjare
Një ngjarje tragjike ka ndodhur sonte në fshatin Zallq të Komunës së Istogut, ku një fëmijë i gjinisë femërore ka humbur jetën pasi është mbytur në një pishinë familjare.
Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 19:40.
“Policia është njoftuar për një rast në fshatin Zallq të Komunës së Istogut. Një fëmijë e gjinisë femërore është mbytur në një pishinë familjare. Është dërguar urgjentisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare, por sipas mjekëve, viktima ka arritur pa shenja jete”, ka deklaruar Gashi.
Sipas informacioneve zyrtare, Prokuroria është njoftuar dhe hetimet lidhur me rastin tashmë kanë filluar, ndërsa autoritetet janë në fazën fillestare të grumbullimit të dëshmive dhe deklaratave për të ndriçuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ngjarja ka tronditur opinionin lokal, ndërsa pritet që organet kompetente të japin më shumë detaje në ditët në vijim.