Vdekje tragjike në Mushtisht, 48-vjeçari dyshohet se u ngulfat nga ushqimi
Një 48-vjeçar ka humbur jetën sot në fshatin Mushtisht të Suharekës, pasi dyshohet se u ngufat nga ushqimi gjatë kohës që ishte duke ngrënë në shtëpinë e tij.
Sipas informacioneve zyrtare, viktima është dërguar pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë rreth orës 12:20, ku edhe është konstatuar vdekja nga mjeku kujdestar.
Të dhënat fillestare tregojnë se gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua papritur si pasojë e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes nga ushqimi, duke bërë që ai të humbasë vetëdijen.
Familjarët kanë tentuar t’i ofrojnë ndihmën e parë dhe më pas e kanë transportuar në QKMF.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti po hetohet nga autoritetet kompetente.
