Therrja e 19-vjeçarit në Prizren, policia konfirmon se i dyshuari është një 13-vjeçar

05.12.2025

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Prizrenit, ku një 19-vjeçar është plagosur me mjet të mprehtë (thikë) në shkollën “Emin Duraku”.

Lajmi është konfirmuar për media nga Policia Rajonale e Prizrenit, e cila ka njoftuar se menjëherë ka dalë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

Sipas Policisë, viktima ka pësuar lëndime trupore si pasojë e goditjes dhe është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor. Nga Emergjenca e spitalit është bërë e ditur se i riu 19-vjeçar është pranuar pa vonesë dhe i është dhënë trajtimi i nevojshëm mjekësor.

Mjeku kujdestar ka konfirmuar se pas ekzaminimeve fillestare, gjendja shëndetësore e të lënduarit është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa ai po monitorohet nga stafi mjekësor.

Detaji që ka shtuar edhe më shumë shqetësimin publik është fakti se autori i dyshuar i kësaj sulmi është një 13-vjeçar. Policia ka bërë të ditur se motivi i ngjarjes ende nuk dihet, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat dhe për të përcaktuar shkakun që çoi deri te ky incident i rëndë.

“Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe nga të dhënat e mbledhura është mësuar se pas një zënke ndërmjet dy të rinjve, njëri prej tyre, mashkull 13-vjeçar, e ka goditur me një mjet të mprehtë viktimën, mashkull 19-vjeçar” ka thënë Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.