Thaçi: Taksa pengesë serioze, prishi raportet speciale me SHBA-të

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe e vendimeve të mençura, e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur në mënyrë të ndjeshme raportet tona speciale me SHBA-në.

Sipas tij, mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze dhe e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë.

“Prandaj, nevoja që me urgjencë të merren vendimet e duhura ishte kërkesë dhe mesazh kryesor në takim me Sekretarin Pompei dhe me Këshilltarin për Siguri Nacionale, O’Brien”.

“Edhe kërkesa ime e qartë si president për qeverinë, për spektrin politik dhe mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës është që pa humbur kohë të merren vendimet e duhura strategjike, të cilat i japin fund izolimit, i hapin mundësi dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe e forcojnë miqësinë e përhershme dhe bashkëpunimin strategjik me SHBA-në”.

“Hezitimi eventual për vendime të shpejta, të mençura, të plota e jo të pjesshme është i panevojshëm, sepse këto vendime janë rruga e vetme për t’i arritur qëllimet tona shtetërore dhe strategjike”.