Temperaturat e larta, IKSHPK me rekomandime se si të mbrohemi

21.06.2024

Ditët e fundit në vend po mbretërojnë temperatura të larta, deri në 35 gradë Celsius. Për të evituar problemet nga temperaturat e larta, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka dhënë disa rekomandime.

Temperaturat e larta, IKSHPK me rekomandime se si të mbrohemi

Temperaturat e larta që po shënohen këtyre ditëve ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut sidomos te të moshuarit.

IKSHPK thekson se duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësohet goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit përcjellë me ngërçe, vjellje, çrregullime diareike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insuficiencë renale.

Masat e rekomanduara mbrojtëse për shëndetin e personave të moshuar gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30°C, posaçërisht për të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike janë:

Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00, sidomos të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet;

Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyrë të çeltë;

Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë 🥛ose në formë supe ose çaji; po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale

Përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, tek të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial

Paraqitja e kokëdhembjes, mundimit, marramendjes dhe dehidrimit, tharjes së gojës dhe lëkurës, janë shenja alarmante për të moshuarin, sidomos kur është i sëmurë dhe ka paaftësi funksionale; atëherë doemos i sëmuri geriatrik duhet të lajmërohet tek mjeku i tij familjar ose në qendrën më të afërt emergjente

Anëtarët e familjes, miqtë, fqinjët dhe anëtarët e OJQ-ve të cilët kujdesen për të moshuarit gjatë muajve të nxehtë të verës duhet doemos më shpesh të kontaktojnë me të moshuarit, e në raste të paaftësive funksionale edhe disa herë gjatë ditës

Në rast se del jashtë shtëpisë/banesës ku jeton, i moshuari duhet detyrimisht të bartë me vete të dhënat elementare, emrin dhe mbiemrin, vitin e lindjes, adresën e banimit, numrin e telefonit të personit kontaktues, i cili mund të kontaktohet lidhur me këtë person të moshuar

Më e rëndësishmja është mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të ambientit të të moshuarit, si dhe mbikëqyrja e përdorimit të barnave në mënyrë të rregullt

Aktiviteti fizik dhe psikik i të moshuarit të mbahet, ndërsa ecja e vazhdueshme të bëhet në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje

Nëse i moshuari ka vështirësi për të lëvizur për shkak të pamjaftueshmërive funksionale, atëherë duhet bërë ajrosjen shumëorëshe të hapësirave ku qëndron i moshuari.

LEXO EDHE:  Parashikimi i motit për të shtunën: Vranësira dhe reshje shiu e bore

Etiketat