Të shtëna në Shtime – plagoset një person, autori në arrati

13.07.2025

Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur sot rreth orës 12:00 në fshatin Mollopolc të komunës së Shtimes, ku një person 32-vjeçar ka plagosur një tjetër 38-vjeçar pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme.

Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se viktima ka arritur të kërkojë ndihmë në oborrin e një shtëpie afër vendit të ngjarjes, ku është ndihmuar nga ekipi emergjent i QKMF-së dhe i është ofruar ndihma e parë mjekësore.

“Me autorizim të prokurorit të shtetit, është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit E.M., mirëpo ai nuk është hasur aty dhe aktualisht ndodhet në arrati. Hetimet janë duke vazhduar me qëllim identifikimin dhe arrestimin e tij,” ka deklaruar Veseli.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, ndërsa i plagosuri ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë e ditur ende.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që kanë informacion mbi vendndodhjen e të dyshuarit të kontaktojnë Policinë e Kosovës.