Takim lamtumirës, Bislimi falënderon ambasadorin Hovenier për kontributin e tij në Kosovë
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në një takim lamtumirës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier.
Gjatë takimit, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e ambasadorit Hovenier ndaj Kosovës gjatë mandatit të tij. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati dhe partneri kryesor i Kosovës dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve vazhdojnë të thellohen.
Bislimi foli gjithashtu për vizitën e tij të fundit në SHBA dhe për takimet e shumta dhe të frytshme që ka zhvilluar atje. Ai shprehu besimin se marrëdhëniet bilaterale do të vazhdojnë të forcohen edhe në të ardhmen.
Në fund të takimit, zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin Hovenier për bashkëpunimin e tyre gjatë këtyre tre viteve të fundit dhe i uroi suksese në detyrat e tij të ardhshme.