Kosova dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Foto: Ilustrim
Gjatë takimit u diskutua për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, me fokus në finalizimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme, si njohja e ndërsjellë e patentë-shoferëve dhe forcimi i bashkëpunimit në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje civile.
Një pikë tjetër e rëndësishme ishte dakordimi për krijimin e një Komisioni të përbashkët për tregti dhe ekonomi, që pritet të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe të reflektojë miqësinë mes dy vendeve në përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
Temë e veçantë e bisedës ishte edhe përfshirja e të rinjve në proceset demokratike. Ministrja Gërvalla theksoi se “forcimi i demokracisë kalon përmes përfshirjes së të rinjve”, duke theksuar përkushtimin e Kosovës dhe Kroacisë për të krijuar më shumë hapësira për gjeneratat e reja.
Në përmbyllje të takimit, Gërvalla shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, duke e cilësuar Zagrebin si një partner të çmuar dhe mik të përhershëm.