Sveçla: Nëse dikush mendon se do ta lëmë me kaq, e ka gabim
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka riafirmuar angazhimin e institucioneve të sigurisë për të zbuluar dhe dënuar autorët e sulmit terrorist në kanalin e ujit “Ibër-Lepenci”.
Gjatë një vizite në fshatin Varagë të Zubin Potokut, Sveçla ka theksuar se policia po vazhdon me hetimet intensive dhe se shumë shpejt do të ketë arrestime.
“Ky është sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike dhe nuk do ta lëmë me kaq”, ka deklaruar Sveçla. “Institucionet e sigurisë janë të vendosura për të zbuluar të gjithë të përfshirët në këtë akt terrorist dhe për t’i sjellë para drejtësisë.”
Ministri i Brendshëm ka shtuar se policia po kryen bastisje në disa lokacione në zonën e Zubin Potokut, në kërkim të provave që do të çojnë në identifikimin dhe arrestimin e autorëve.