Sulmet ruse në Kiev godasin rezidencën e ambasadorit shqiptar Ernal Fino
Rezidenca ku jeton ambasadori shqiptar në Ukrainë, Ernal Fino, është dëmtuar nga sulmet e fundit ruse në Kiev, gjatë një vale të re bombardimesh me raketa balistike dhe dronë.
Foto: Ilustrim
Në pamjet e publikuara nga mediat shqiptare, ambasadori shqiptar shfaq dëmet e mëdha materiale të shkaktuara nga shpërthimet në kompleksin rezidencial ku banon. “Ky është pasojë e sulmit me raketa dhe ja godina e banesës sime, copat e xhamit janë kudo”, dëgjohet të thotë ai në video.
Sipas autoriteteve shqiptare, kompleksi ku ndodhej rezidenca diplomatike u godit gjatë sulmeve intensive të natës së fundit ndaj kryeqytetit ukrainas, duke rrezikuar edhe personelin diplomatik. Fatmirësisht, ambasadori shqiptar nuk ka pësuar lëndime.
Shqipëria ka reaguar duke dënuar ashpër sulmet ruse ndaj objektivave civile në Ukrainë, ndërsa theksoi se rrezikimi i diplomatëve dhe goditja e zonave të banuara përbën shkelje të rëndë të normave ndërkombëtare.
