Shqipëria nën sulm kibernetik: Mbi 14.6 milionë tentativa në gjashtë muaj
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka njoftuar se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, në Shqipëri janë regjistruar 14,628,595 tentativa për sulme kibernetike ndaj infrastrukturave të informacionit.
Foto: Ilustrim
Sipas të dhënave të AKSK-së, kjo shifër përkthehet në rreth 56.4 tentativa për sulme kibernetike çdo minutë.
Nga numri i përgjithshëm i tentativave, 54 për qind kanë qenë të drejtuara ndaj infrastrukturave të rëndësishme të informacionit, ndërsa 46 për qind ndaj infrastrukturave kritike të informacionit.
Sulmet dhe tentativat për sulme kanë prekur sektorë të ndryshëm, përfshirë sektorin financiar, administratën publike, infrastrukturën digjitale dhe sektorin energjetik, si dhe fusha të tjera me rëndësi për funksionimin e vendit.
AKSK ka bërë të ditur se po vijon monitorimin e vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike dhe forcimin e masave mbrojtëse, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së infrastrukturave të informacionit në Shqipëri.
