Subvencionimi i librave, SBASHK: 80 euro, një shifër që nuk mjafton dhe e vonuar

25.08.2025

Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Vjollca Shala, ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me procesin e subvencionimit të librave shkollorë nga Ministria e Arsimit.

Sipas saj, shuma prej 80 eurosh nuk i mbulon nevojat reale të nxënësve dhe se procesi i aplikimit ka filluar me vonesë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Shala theksoi se fillimi i aplikimeve vetëm pak ditë para nisjes së vitit shkollor ka krijuar pasiguri te prindërit. Ajo shtoi se shumë prej tyre kanë vështirësi në përdorimin e platformës e-Kosova, duke rritur kështu mundësinë që fëmijët të mos pajisen me tekste në kohë.

Sipas Shalës, kostoja e librave për nxënësit e klasave 1-9 shpeshherë e tejkalon shumën e subvencionuar, duke i lënë prindërit me shpenzime shtesë. “Ato 80 euro nuk e përmbushin nevojën për t’ju blerë tekste shkollore, e mos të flasim për mjetet tjera,” tha ajo.

Nënkryetarja e SBASHK-ut ngriti shqetësime edhe për përdorimin e librave të vjetër, të cilët janë të mbushur me shënime dhe zgjidhje nga nxënësit e mëparshëm. Kjo praktikë, sipas saj, ndikon negativisht në cilësinë e mësimdhënies dhe aftësinë e nxënësve për të menduar në mënyrë kritike.