Anulohet vendimi për zgjedhjen e Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës

26.01.2026

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës, për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore gjatë procesit të përzgjedhjes.

Sipas njoftimit zyrtar, Ministria, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, ka konstatuar se procedura e ndjekur nuk ka qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke e bërë të domosdoshëm anulimin e vendimit.

MASHTI ka obliguar Këshillin Drejtues të Institutit Albanologjik që, pa vonesë, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për caktimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit, si dhe për shpalljen e një konkursi të ri, në përputhje me ligjin.

Ministria ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të ligjshmërisë dhe parimit të meritokracisë në të gjitha proceset institucionale. Po ashtu, është bërë e ditur se të gjitha shkeljet e konstatuara janë serioze dhe do të procedohen më tej në organet kompetente për trajtim të mëtutjeshëm.