Spitali i Prizrenit përfiton mbi 11 milionë euro investime
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Spitali i Prizrenit po përjeton një transformim të madh me investime mbi 11 milionë euro, duke përmirësuar shërbimet shëndetësore, pajisjet dhe kushtet e punës për stafin mjekësor.
Foto: Ilustrim
“Nga komuna në komunë, spital pas spitali, po investojmë në shëndetësi për t’u siguruar qytetarëve shërbime më të mira dhe të sigurta,” tha Kurti, duke theksuar rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin e sektorit shëndetësor dhe përmirësimin e kujdesit për pacientët.


Edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vita, ka dhënë detaje rreth transformimit të Spitalit të Prizrenit, duke theksuar se institucioni po ndryshon rrënjësisht me investime të mëdha në aparaturë moderne, shërbime të avancuara dhe infrastrukturë bashkëkohore.




Sipas ministrit Vita, investimet përfshijnë:
- Kardiologji invazive me angiografin e ri
- Rezonancë magnetike (MRI)
- Pulmologji dhe shërbim të ri për Sleep Apnea
- Pediatri, Interno dhe Kujdes Intensiv
- Emergjencë, Radiologji dhe blloku kirurgjik
- Hemodializë, Transfuzion dhe Patologji
- Pajisje moderne diagnostike dhe terapeutike
- Ndriçim dhe infrastrukturë të jashtme të standardizuar
“Një falënderim i veçantë për mërgatën tonë, miqt tanë dhe profesionistët shëndetësorë për kontributin në këtë transformim,” ka shtuar Vita.
Ky investim do të përmirësojë kapacitetet diagnostikuese dhe trajtuese të Spitalit të Prizrenit, duke e bërë atë një qendër referimi për shërbime shëndetësore cilësore në rajon dhe duke rritur standardet e kujdesit për pacientët.