Spahija: Vendimi për ndalim të përkohshëm ishte i kompanisë, jo i shtetit

03.07.2026

Qumështorja “Vita” ka sqaruar se nuk është mbyllur nga institucionet shtetërore, por se pezullimi i përkohshëm i prodhimit është vendim i brendshëm i kompanisë, i marrë nga bordi drejtues në pritje të rezultateve laboratorike të mostrave të qumështit.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Artan Spahija, në një konferencë për media tha se inspektimi i zhvilluar në fabrikë ka ardhur pas një vendimi për kontroll urgjent, por theksoi se ndalimi i përkohshëm i punës nuk është urdhëruar nga Ministria apo Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Sipas tij, vendimi është marrë për arsye sigurie dhe transparence, derisa të përfundojnë analizat e mostrave të marra nga produktet e qumështit.

“Ne kemi vendosur vetë pezullimin deri në daljen e rezultateve laboratorike dhe jemi të gatshëm të rifillojmë prodhimin menjëherë pas konfirmimeve”, ka deklaruar Spahija.

Ndërkohë, përfaqësues ligjor i kompanisë ka ngritur shqetësime për përbërjen e ekipit inspektues, duke pretenduar praninë e personave që, sipas tyre, nuk kanë qenë vetëm inspektorë institucionalë.

Rasti mbetet në pritje të rezultateve zyrtare të analizave laboratorike, të cilat pritet të përcaktojnë hapat e mëtejshëm për funksionimin e qumështores.