Sot mbahet protesta në Shkup për drejtësi dhe lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

13.12.2025

Sot në Shkup do të mbahet një protestë në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë. Protesta është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) dhe pritet të nisë në orën 13:00 në sheshin “Skënderbe” në Shkup.

Tubimi ka marrë përkrahje të gjerë nga figura politike shqiptare në rajon. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar se protesta synon kërkesën për drejtësi dhe kundërshtimin e akuzave që, sipas tij, janë të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia.

“Nesër, më 13 dhjetor, në orën 13:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Shkup, bashkohemi për një qëllim të qartë: kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara të Serbisë dhe Rusisë. Ne dalim me përgjegjësi, për të nderuar sakrificën dhe për të mbrojtur të vërtetën e historisë sonë”, ka deklaruar Ahmeti.

Mbështetje për protestën ka shprehur edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka theksuar se pas Prishtinës dhe Tiranës, edhe Shkupi po ngre zërin për drejtësi. Ai e ka cilësuar protestën si një thirrje për unitet dhe mbrojtje të vlerave kombëtare.

“Kjo është një thirrje për unitet, respekt dhe mbrojtje të vlerave që na bashkojnë si popull. Shpreh mbështetjen time për të gjithë shqiptarët e Shkupit dhe të gjitha trevave që sot protestojnë në mënyrë paqësore, në mbrojtje të UÇK-së si vlerë e patjetërsueshme kombëtare”, ka shkruar Rama.

Megjithatë, derisa bëhen thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe qytetare, nga OVL-UÇK është lëshuar një apel i veçantë për ish-ushtarët e UÇK-së që të mos marrin pjesë në protestë, për shkak të rrezikut të mundshëm të arrestimit nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

Gazmend Syla nga OVL-UÇK ka deklaruar se pjesëmarrja e ish-luftëtarëve paraqet rrezik serioz, për shkak të listave të Europolit të dërguara nga Serbia.

“Ne ju preferojmë luftëtarëve tanë të UÇK-së që të mos e marrin atë rrugë, sepse nuk kemi garanci. Edhe sikur ta kërkojmë, është e pamundur që shteti i Maqedonisë së Veriut të japë garanci kur je në listat e Europolit”, ka thënë Syla.

Protesta pritet të zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për qetësi dhe përgjegjësi gjatë tubimit.