Situata me COVID-19, Suedia fut në listën e zezë Kosovën

03.09.2021

Rritja enorma e rasteve të infektimeve me COVID-19 si dhe rritje së numrit të rasteve të vdekjeve në vendin tonë, ka bërë që shumë shtete ta fusin në listën e zezë Kosovën. Tashmë Kosova është njëra nga shtetet që do t’i ndalohet hyrja në Suedi duke filluar nga data 6 shtator, kjo për shkak të […]

Situata me COVID-19, Suedia fut në listën e zezë Kosovën Foto: Ilustrim

Rritja enorma e rasteve të infektimeve me COVID-19 si dhe rritje së numrit të rasteve të vdekjeve në vendin tonë, ka bërë që shumë shtete ta fusin në listën e zezë Kosovën.

Tashmë Kosova është njëra nga shtetet që do t’i ndalohet hyrja në Suedi duke filluar nga data 6 shtator, kjo për shkak të rritjes së numrit të infektimeve me COVID-19.

Më 2 shtator, Qeveria e Suedisë vendosi që përveç Kosovës, në listë të zezë të fusë edhe SHBA-të, Izraelin, Libanin, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Këtë e ka bërë të ditur edhe Ambasada e Suedisë në Kosovës përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

“Për të zbutur efektet e përhapjes së COVID-19, vini re se Qeveria Suedeze ka zgjatur ndalimin e përgjithshëm të përkohshëm të udhëtimit në Suedi. Ndalimi i udhëtimit tani përfshin edhe Kosovën, ndër vendet e tjera. Vendimi hyn në fuqi më 6 shtator dhe do të jetë në fuqi deri më 31 tetor 2021, por mund të zgjatet edhe më tej”, thuhet në njoftimin e kësaj ambasade.

“Më 2 shtator, Qeveria vendosi të rivendosë ndalimin e hyrjes në Suedi për udhëtarët nga SHBA, Izraeli, Kosova, Libani, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Ndryshimi është rezultat i një përditësimi të rekomandimeve të BE -së në lidhje me udhëtimin në BE nga vendet e treta dhe do të hyjë në fuqi më 6 shtator 2021”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Qeverisë të Suedisë.

Të gjithë ata që kanë nevoja urgjente për të hyrë në Suedi duhet të kenë test negativ të COVID-19 të bërë në 48 orët e fundit.

Ky ndryshim i masave vjen pas rekomandimit të BE-së mbi situatën e përkeqësuar me COVID-19 në këto vende.