Shtrenjtohen biletat e autobusëve në Kosovë

20.10.2021

Disa kompani të autobusëve tashmë kanë nisur t’i ngrisin çmimet e biletave. Nga kjo ngritje e çmimit më së shumti po pësojnë studentët. Studentja Manjolla Gjini për të ardhur deri në Prishtinë sot, ka ndërruar disa linja të autobusit. E ndryshimin në çmim e ka vërejtur në autobusin e linjës Ferizaj-Prishtinë. Nga një euro sa […]

Shtrenjtohen biletat e autobusëve në Kosovë Foto: Ilustrim

Disa kompani të autobusëve tashmë kanë nisur t’i ngrisin çmimet e biletave. Nga kjo ngritje e çmimit më së shumti po pësojnë studentët. Studentja Manjolla Gjini për të ardhur deri në Prishtinë sot, ka ndërruar disa linja të autobusit. E ndryshimin në çmim e ka vërejtur në autobusin e linjës Ferizaj-Prishtinë.

Nga një euro sa ka qenë çmimi për studentë, tani sipas saj, është bërë 1.50 euro.

“Po studente jam dhe vi nga Kaçaniku. Kemi pasur ngritje të çmimit Ferizaj-Prishtinë tash është bërë 1.50 më herët ka qenë 1 euro. Ky çmim i ka dëmtuar studentët, nga Kaçaniku në Ferizaj nuk ka pas ngritje, mendoj se ky çmim duhet me qenë siç ka qenë më herët”, tha ajo.

E qytetarja Dalina Vranovci, tha se çmimi i biletave është ngritur si pasojë e çmimit të naftës.

“Po ka pasur ngritje të çmimit për 50 centë, sidomos për pjesën e studentëve. Mendoj se është i lartë sepse studentët ka që udhëtojnë çdo ditë edhe 1.50 euro është çmim i lartë, duke e pasur parasysh se nuk punojnë dhe nuk kanë të ardhura. Çmimi është i lartë, por këtu mendoj se nuk është faji i kompanive të autobusëve, por është faji i politikave dhe çmimi i naftës”, tha ajo.

Përveç Ferizajt, ngritje të çmimit të biletave ka pasur edhe për linjat Prishtinë-Drenas dhe Prishtinë-Skenderaj.

Zenel Tvorani, i cili sot po udhëtonte për në fshatin Terstenik të Drenasit, tha se kjo ngritje e çmimi të biletave është e lartë duke i pasur parasysh pagat në Kosovë.

“Kemi ngritje të çmimit të biletave çmimi ka qenë 1 euro tani është 1 e 50 euro, me kushtet tona ngritja e çmimit është e madhe. Tash janë shtrenjtuar edhe derivatet për kushtet tona çfarë jetese kemi, çfarë paga kemi shumica e papunë, çmimet janë të larta”, tha ai.

Kurtishaj: Shoqata nuk e ka rritur çmimin e biletave, por kompanitë

Kryetari i Shoqatës së Transportit rrugorë, Ruzhdi Kurtishaj, për FrontOnline, tha se ngritja e çmimit është bërë në mënyrë individuale nga agjencinë, jo ne emër të shoqatës.

“Çmimi nuk është rritur në emër të shoqatës, por e kanë rritur kompanitë në mënyrë individuale”, tha Kurtishaj.

E kjo ngritje e çmimit të biletave sipas, Kurtishajt është e arsyeshme, duke pasur parasysh, ngritjen e çmimit të naftës dhe produkteve tjera për mirëmbajtjen e autobusëve.

“Sektori i transportit rrugorë është më i dëmtuari në Kosovë. Kjo nuk ka të bëjë me pandeminë por ka të bëjë edhe para pandemisë, pra ne jemi sektori më i dëmtuar për shkak të ligjit të brendshëm të tatimit mbi vlerën e shtuar. E dyta ka të bëjë më pandeminë e cila e ka shkatërruar këtë sektor, kësaj të fundit i shtohet edhe ndryshimi i madh i çmimit të naftës apo rritja drastike e çmimit të naftës sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar diku rreth 1 euro e tani është diku rreth 1.28 pra kemi diku 30 % rritje të çmimit të naftës”, tha ai.