Shtatë raste të dhunës në familje për 24 orë, vetëm dy persona u dërguan në mbajtje

03.01.2024

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se brenda një dite janë paraqitur shtatë raste të dhunës në familje në Kosovë. Në raport thuhet se rasti i parë ka ndodhur të martën në orët e para të mëngjesit në Graqanicë, ku dyshohet se një person ka sulmuar fizikisht një grua, e cila ka […]

Shtatë raste të dhunës në familje për 24 orë, vetëm dy persona u dërguan në mbajtje Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se brenda një dite janë paraqitur shtatë raste të dhunës në familje në Kosovë.

Në raport thuhet se rasti i parë ka ndodhur të martën në orët e para të mëngjesit në Graqanicë, ku dyshohet se një person ka sulmuar fizikisht një grua, e cila ka pranuar tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje kurse rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”.

Katër raste të tjera kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës.

Në Obiliq është raportuar se mbrëmjën e së martës, një person është shoqëruar në polici pasi ka sulmuar fizikisht një grua. E njëjta ka pranuar tretman mjekësor, kurse pas intervistimit janë liruar të dy palët.

Rasti shkon në procedurë të rregullt.

Ndërsa, në Prishtinë një grua ka njoftuar se gjatë periudhës 09.2022 deri më 09.2023, pra brenda një viti, ka pasur dhunë fizike dhe psikike nga i dyshuari. Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet policore për procedurat e mëtejme hetimore.

Një rast tjetër ka ndodhur në Obiliq, ku një person ka njoftuar se është kanosur verbalisht nga një person tjetër, kurse i dyshuari gjendet në arrati.

Rasti tjetër ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku viktima ka njoftur se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga një person tjetër.

Viktimës i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari pas intervistimit është liruar.

Dy raste të tjera kanë ndodhur në Gjakovë, ku në rastin e parë një grua ka njoftuar se i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike dhe kanosje ndaj saj, dhe poashtu i njëjti ka thyer edhe urdhërin mbrojtës.

Në rastin tjetër, poashtu në Gjakovë, një grua ka njoftuar se i dyshuari në gjendje të dehur, ka shkaktuar dhunë në familje. Ai është arrestuar dhe ka pranuar tretman mjekësor, dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.