Shqiptimi i gjobave bazuar në fotografi dhe video të qytetarëve, policia thotë se është e rregulluar me ligj

17.06.2021

Policia e Kosovës vazhdimisht apelon tek qytetarët për kujdes të shtuar në trafik, por këto apele disa qytetarë nuk po i marrin seriozisht duke vazhduar avazin e njëjtë me vozitjen e veturës mbi shpejtësinë e kufizuar si dhe shkeljet e tjera të rregullave në komunikacion. Pastaj mosrespektimi i rregullave në komunikacion po shkakton aksidente të […]

Shqiptimi i gjobave bazuar në fotografi dhe video të qytetarëve, policia thotë se është e rregulluar me ligj Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës vazhdimisht apelon tek qytetarët për kujdes të shtuar në trafik, por këto apele disa qytetarë nuk po i marrin seriozisht duke vazhduar avazin e njëjtë me vozitjen e veturës mbi shpejtësinë e kufizuar si dhe shkeljet e tjera të rregullave në komunikacion.

Pastaj mosrespektimi i rregullave në komunikacion po shkakton aksidente të shumta në vendin tonë, ku disa prej tyre fatkeqësisht po përfundojnë edhe me të vdekur.

Policia e Kosovës është duke vazhduar shqiptimin e gjobave për shoferët që nuk po i respektojnë rregullat e komunikacionit.

Por, tash e sa ditë shqiptimi i gjobave po bëhet edhe duke u bazuar në dëshmitë me fotografi apo video që qytetarët po i publikojnë në rrejte sociale si dhe ua dërgojnë policisë.

Por sa kanë të drejt Policia e Kosovës të shqiptojë gjoba për shoferë, në raste kur ata nuk janë prezent në vendin ku ndodhë shkelja?

elegrafi ka kontaktuar me Zyrën për Media në Policinë e Kosovës, ku ka pyetur se si është e rregulluar me ligj çështja e gjobave.

PK në përgjigjen e dhënë për Telegrafin thekson se Ligji për Policinë, me nenin 10 dhe 11 përcakton detyrat dhe autorizimet e policisë, ku ndër tjera, përcaktohet që policia mbikëqyrë dhe kontrollon sigurinë në komunikacion.

“Me qëllim që të bëjë parandalimin, luftimin e krimit dhe për të shtuar sigurinë e përgjithshme dhe sidomos atë në komunikacionin rrugor, policia përveç tjerash, bashkëpunon edhe me komunitetin. Po ashtu, mbështetur në Ligjin për Policinë – neni 15 – pranimi i informatave për veprat penale dhe shkeljeve tjera të ligjit, përcaktohet që policia ka detyrë t’i pranojë informatat e ofruara nga personat lidhur me kryerjen e ndonjë vepre penale ose me shkeljet tjera të ligjit që janë relevante për punën dhe kompetencat e policisë”, thuhet në përgjigje.

Tutje, PK thekson se “Ligji për kundërvajtje rregullon procedurën kundërvajtëse, andaj policia në rastet kur grumbullon informacione të mjaftueshme dhe prova bindëse se një kundërvajtje është kryer, sipas ligjit fillon procedurën kundërvajtëse kundër kryerësit të asaj kundërvajtje. Së këndejmi, sa herë që nga policia vërtetohet se ndokush ka kryer kundërvajtje, ndaj tij shqiptohet dënimi që e parasheh ligji për atë kundërvajtje”.

Megjithatë, edhe në këto raste kur dënohen përmes fotografive, qytetarët kanë të drejtë ankese.

“Sikurse në çdo rast tjetër, edhe në këto raste secilit kundërvajtës ndaj të cilit është shqiptuar dënimi, ka të gjitha mundësitë ligjore që ta argumentoj të kundërtën përmes mjeteve të rregullta juridike”, thotë policia.