Shqipëri, kamera dixhitale çdo 1.5 km në tre akse kryesore, monitorim 24 orë i shkeljeve

04.05.2025

Shqipëria ka intensifikuar ndjeshëm kontrollin e trafikut në tre akse të rëndësishme kombëtare, duke vendosur kamera dixhitale me teknologji të lartë në çdo 1.5 kilometër rrugë.

Këto kamera, të cilat funksionojnë 24 orë në ditë, regjistrojnë çdo shkelje rrugore të kryer nga drejtuesit e automjeteve.

Tre akset rrugore të cilat tashmë janë nën monitorim intensiv janë:

  • Tiranë-Elbasan
  • Vorë-Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”
  • Tiranë-Vlorë

Sipas Marin Bezhanit, drejtor i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Trafikut (QKMT), në këto tre segmente janë instaluar gjithsej 150 kamera dixhitale. Ai theksoi se segmenti Tiranë-Vlorë ka trafikun më të lartë gjatë gjithë vitit, por veçanërisht gjatë sezonit turistik, duke e bërë monitorimin e tij prioritar.

Këto kamera të sofistikuara kanë aftësinë të identifikojnë jo vetëm llojin e automjetit dhe targën, por edhe drejtuesin dhe llojin e shkeljes së kryer. Procesi i ndëshkimit të shkelësve është i automatizuar dhe i shpejtë.

“Kur ndodh një shkelje supozohet tejkalim shpejtësie, kapet nga kamerat, analizohet nga operatorë të sallës QKMT dhe dërgohet tek Policia Rrugore. Kjo e fundit verifikon rastin dhe merr masën për gjobën përkatëse”, shpjegoi Bezhani.

QKMT ka njoftuar gjithashtu se brenda këtij viti, nën monitorim me kamera do të përfshihen edhe pesë akse të tjera kombëtare, duke zgjeruar rrjetin e sigurisë rrugore dhe duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit të drejtuesve të automjeteve për respektimin e rregullave të qarkullimit. Kjo masë pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në uljen e numrit të aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugët e Shqipërisë.