Shpenzim i papritur në vlerë prej 100 euro, 43% e familjeve kosovare e përballuan, ndërsa 57% të tjera jo!

07.12.2022

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Rezultatet e Anketës mbi të Ardhurat dhe Kushtet e Jetesës (e njohur si SILC) në Kosovë, për vitin 2020 Ky publikim ofron të dhëna statistikore për kushtet e jetesës së ekonomive familjare në Kosovë dhe për çështjet e tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me standardin […]

Shpenzim i papritur në vlerë prej 100 euro, 43% e familjeve kosovare e përballuan, ndërsa 57% të tjera jo! Foto: Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Rezultatet e Anketës mbi të Ardhurat dhe Kushtet e Jetesës (e njohur si SILC) në Kosovë, për vitin 2020

Ky publikim ofron të dhëna statistikore për kushtet e jetesës së ekonomive familjare në Kosovë dhe për çështjet e tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me standardin jetësor.

Në këtë publikim janë paraqitur rezultatet në formë përmbledhëse për kushtet e jetesës së
ekonomive familjare në vitin 2020.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se mesatarja e numrit të dhomave për një ekonomi familjare në Kosovë ishte 4.17 dhoma, ku 4.23 ishte mesatarja e dhomave në zonat urbane, ndërsa 4.07 mesatarja e dhomave në zonat rurale.

Një anëtar në ekonomitë familjare në Kosovë kishte në dispozicion 0.93 dhoma, d.m.th. më pak se 1 dhomë për person.

Në zonat urbane ishte 0.94 dhoma, ndërsa në zonat rurale ishte 0.92 dhoma. Nga kjo rezulton se 93.9% e ekonomive familjare kishin në pronësi, me akt ligjor, shtëpitë/banesat; 2.7% e ekonomive familjare kishin në pronësi, me akt ligjor, por ishin duke paguar kredi; 0.9% e ekonomive familjare ishin qiramarrës ose nën qiramarrje, që paguajnë qira me normën e tregut; për 0.2% të ekonomive familjare akomodimi është marrë me qira me një çmim më të ulët të tregut; ndërsa për 2.2% të ekonomive familjare akomodimi ofrohet falas.

Shpenzimet për strehim dhe banim për 40.7% të ekonomive familjare paraqesin barrë të rëndë; për 37.8% të ekonomive familjare këto shpenzime paraqesin barrë të lehtë; përderisa për 21.5% të ekonomive familjare nuk paraqesin barrë financiare.

Shpenzimet e një jave pushimi, larg shtëpisë, janë të përballueshme për 42.7% të ekonomive familjare në Kosovë, përderisa për 57.3% të ekonomive familjare shpenzimet e tilla ishin të papërballueshme.

Ndërkaq, një shpenzim i papritur prej 100 Eurosh, ishte i përballueshëm për 43.0% të ekonomive familjare në Kosovë, përderisa për 57.0% të ekonomive familjare ky shpenzim ishte i papërballueshëm të paguhej prej burimeve vetanake.